Inteligjenca amerikane konfirmon vdekjen e djalit të Osama bin Laden

Burime nga Inteligjenca Amerikane bëjnë me dije se ka vdekur Hamza Bin Laden, djali i terroristit Osama Bin Laden, por nuk japin detaje të mëtejshme për rrethanat e ngjarjes.

Në muajin mars, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte vendosur një shpërblim 1 milion dollarë për kapjen e tij, duke e konsideruar një nga liderët e rinj të organizatës terroriste të Al Kaedës që më parë drejtohej nga i ati.

Vlera e shpërblimit prej 1 milion dollarë është shumë e vogël në krahasim me atë të liderit aktual të Al Kaedës, Ayman Al Zawahiri, por nënkupton se 30-vjeçari Hamza bin Laden ishte përcaktuar nga SHBA si një terrorist i nivelit botëror.

Sipas të dhënave ai kohët e fundit dyshohej se fshihej në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, zonë në të cilën operojnë më së shumti terroristët. Në dokumentat e sekuestruara në banesën ku u vra Osama Bin Laden, shfaqeshin të dhëna se ish kreu i Al Kaedës kishte caktuar pikërisht të birin e tij Hamza si pasues.

Shkarkoni aplikacionin e A2