Kredia mbahet te individët, biznesi tërheq kursimet – A2

Kredia mbahet te individët, biznesi tërheq kursimet

Kredia për ekonominë ka arritur në 552 miliardë lekë në fund të muajit qershor, duke vijuar trendin rritës të nisur prej fillimit të vitit dhe duke kapur vlerën më të lartë prej fundit të vitit 2017.

Rritja është mbështetur pothuajse tërësisht te huatë e individëve. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se qytetarët po marrin më tepër kredi në monedhën vendase, lek, kryesisht për konsum.

Ndërsa vihet re një ngadalësim i ndjeshëm në huatë për blerje banese dhe për mallra të qëndrueshëm, si automjetet; çka do të thotë se ka një hezitim për të bërë shpenzime të mëdha dhe investime.

Ngurrues për të investuar e për t’u zgjeruar është edhe biznesi. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga sistemi bankar, sipërmarrja po preferon të shfrytëzojë burimet e veta, çka shihet me tërheqjen e depozitave. Prej Janarit, depozitat e korporatave jofinanciare u tkurrën me mbi 9 miliardë lekë, apo rreth 75 milionë euro.

Ndërsa të vetmet kompani që kërkuan financim në banka, ishin ato në vështirësi nga mosrimbursimi i TVSH-së dhe zhvlerësimi i euros, që kërkuan hua kryesisht në valutë për kapital qarkullues.

Shkarkoni aplikacionin e A2