“Vetë e kanë fajin se vetë i votojnë”, Milo apel shqiptarëve që të heqin dorë nga “partitë që shkaktojnë konflikte”

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, deklaroi në Ditari në A2 CNN se shqiptarët e kanë vetë në dorë zgjidhjen e krizës politike.

“Shqiptarët presin zgjidhje nga partitë politike, por unë u them se e kanë vetë në dorë zgjidhjen. Nëse do të vazhdojnë të presin zgjidhje nga partitë, ata do u japin vetëm marrëveshje të fshehta për të ndarë tortën e pushtetit. Të mos i votojnë këto parti që janë shkaktare të konflikteve të vazhdueshme. Vetë e kanë fajin se vetë i votojnë. Në vend që të votojnë parti që t’i japin punë dhe mirëqenie, votojnë partitë që u japin konflikte”, deklaroi Milo.

Paskal Milo shtoi se “shqiptarët janë lodhur nga konfliktet dhe shashkat politike”

“Duan të gjejnë forca politike që ofrojnë zgjidhje përmes dialogut dhe mirëkuptimit. Janë në kërkim të alternativave paqësore që nuk propagandojnë dhunë sepse shqiptarët janë të interesuar për një vend të qetë dhe të stabilizuar”, theksoi kreu i Partisë Demokracia Sociale.

Në lidhje me konfliktin Presidencë-qeveri, Milo u shpreh se kemi të bëjmë me “një përplasje institucionale të paprecedentë”.

“Është një luftë politike që po të ishte mes partive do të ishte e justifikueshme, por kemi përplasje institucionesh që nuk sjell asgjë të mirë. Mungesa e kompromisit mes këtyre dy institucioneve është shenjë e keqe për të ardhmen e afërt të Shqipërisë. Sa më shpejt të ulen në bisedime dhe të gjejnë zgjidhje, edhe të dhimbshme, aq më mirë do të jetë për vendin. Mazhoranca mos ta paraqesë rozë situatën, ndërsa opozita të heqë dorë nga kërkesat e saj maksimaliste dhe të pajustifikueshme”, tha Milo.

Në fund, Milo nënvizoi se “ndërkombëtarët nuk duan të ndërhyjnë tani sepse janë lodhur me shqiptarët”.

“Për fat të keq, unë besoj se pa ndërkombëtarët nuk ia dalim sepse në partitë tona nuk ka njerëz që mendojnë për interesat e vendit, por mendojnë vetëm për interesat e tyre”, deklaroi Milo.

Shkarkoni aplikacionin e A2