Zgjedhjet e Parakohshme, Thaçi: Vetëm pas shterimit të mundësive kushtetuese – A2

Zgjedhjet e Parakohshme, Thaçi: Vetëm pas shterimit të mundësive kushtetuese

Konsultimet vijojnë, por një propozim për datën e zgjedhjeve ende nuk ka. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi priti në zyrë kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilën bisedoi për zhvillimet e fundit politike në vend. Kreu i shtetit, me një deklaratë pas takimit, njoftoi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të thirren vetëm pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë e tjera kushtetuese.

“Nëse partitë politike nuk janë në gjendje t’i japin përgjigje këtij realiteti të ri politik në një afat të arsyeshëm kohor, jam i gatshëm t’i shpall menjëherë zgjedhjet e reja”, tha Thaçi.

Ndërsa Daka pas takimit, bëri me dije se me presidentin nuk diskutoi për një datë zgjedhjesh dhe shprehu gatishmërinë e KQZ-së për organizimin e tyre nëse një gjë e tillë do të kërkohet.

Ndërkohë, të martën presidenti Thaçi nisi konsultimet me institucionet dhe partitë politike të Kosovës, për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe qeverisë së tij. Fillimisht u takua me përfaqësues të komunitetit turk dhe boshnjak, ndërsa bisedimet me forcat e tjera politike do t’i mbajë në vijim.

Shkarkoni aplikacionin e A2