Kina tregon forcën, stimulohet ndërhyrja e ushtrisë në Hong Kong

Titulli i videos i thotë të gjitha: “Stërvitje anti-rebelim”. 3 minuta me imazhe, në të cilat ushtria kineze tregon në detaje si mund të menaxhohet një protestë urbane e dale jashtë kontrollit, përfshirë përdorimin e mjeteve të armatosura.

Ishte pikërisht garnizoni i vendosur në Hong Kong që e publikoi atë me rastin e 92 vjetorit të themelimit të Ushtrisë Popullore Komuniste. Kjo vjen pikërisht ndërsa komandanti i saj, në një dalje publike të pazakontë, deklaronte se dhuna është absolutisht e papranueshme dhe se trupat e tij ishin të gatshëm të ruanin sovranitetin kinez.

Një kërcënim më të qartë se kaq nuk mund të kishte, ndaj manifestuesve të patrembur të ish kolonisë britanike që kërkojnë autonomi të plotë. Në pritje të një tjetër fundjave me protesta, Kina tund shkopin përpara hundës së tyre. Për momentin qëllimi është vetëm të tregojë forcën dhe jo ta përdorë atë.

Pekini është i vetëdijshëm se ndërhyrja në qytet do ta çonte krizën në një nivel më të lartë, thënë ndryshe në një terren të paeksploruar më parë.  Taktika aktuale e Kinës, por edhe e autoriteteve të Hong Kongut është e thjeshtë: Të ndalojnë manifestimet. Por me sjelljen aktuale po i hedhin benzinë zjarrit, pasi në fundjavë jo vetëm qytetarët por edhe funksionarë publikë do t’i bashkëngjiten protestave. Ata nuk kërkojnë demokraci, por një hetim për sjelljen e qeverisë dhe policisë gjatë manifestimeve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2