Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Matthew Palmer: Nuk mbajmë anë në Shqipëri, mosmarrëveshjet zgjidhen brenda institucioneve

Nga A2 CNN
1 Gusht 2019, 22:22 | Politikë
Matthew Palmer: Nuk mbajmë anë në Shqipëri,

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer tha një intervistë për Zërin e Amerikës ku foli dhe për zhvillimet më të fundit në Shqipëri.

Zyrtari i lartë amerikan iu përgjigj interesimit të gazetares për çështjen e ndalimit të hyrjes në SHBA për ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe familjarëve të tij.

“Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”, tha Palmer.

Më tej, diplomati i lartë amerikan foli dhe për bllokimin e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

“Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij” u shpreh zv/ndihmës sekretari amerikan.

Matthew Palmer mohoi se Shtetet e Bashkuara po mbajnë ndonjë anë në mosmarrëveshjet politike në Shqipëri. Ai kërkoi që mosmarrëveshjet të zgjidhen brenda institucioneve dhe jo me ndërhyrje nga jashtë. Sipas tij SHBA-të mbështesin vetëm sundimin e ligjit.

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, shtoi Palmer

Në fund, zyrtari i lartë amerikan foli dhe për çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe iu përgjigj pyetjes nëse duhen përsëritur ato.

“Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”, përfundoi Matthew Palmer.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu