Përplasja për bashkitë, Xhelal Mziu: Nuk le zyrën deri në zgjedhjet legjitime

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila nuk e legjitimoi si palë në proces, Xhelal Mziun vazhdon të firmosë nga zyra e tij vendime që lidhen me bashkinë që drejtoi prej 12 vitesh.

“Shumë rrugë këtu jo vetëm që nuk kanë qenë të kalueshme, por nuk kanë qenë rrugë, shumë prej tyre kanë qenë kolektorë. Është bërë një investim i dyfishtë pasi është bërë tubacioni i ujërave pastaj është kthyer në taban rruge dhe rrugë. Vetëm në buxhetin e këtij viti të Bashkisë së Kamzës janë 167 rrugë dhe janë dhe rreth 70-80 rrugë të tjera që nuk janë përfunduar ende” tha Xhelal Mziu për A2 CNN.

Më tej, Mziu përsëriti edhe njëherë qëndrimin se do të vazhdojë qeverisjen e qytetit dhe se njeh 13 tetorin si datë zgjedhjesh.

“Do të vazhdoj qeverisjen e qytetit. Nuk besoj se është legjitim personi që mund të vijë tek bashkia, nuk ka patur zgjedhje. Zgjedhjet janë caktuar më 13 tetor. Normalisht që do të vazhdoj të jem kreu i Bashkisë së Kamzës”, shtoi Mziu.

Pas një mbledhje me dyer të mbyllura me kryetarët e bashkive të papërfaqësuar në zgjedhjet e 30 qershorit kreu i demokratëve do të deklaronte se Xhelal Mziu do të vazhdonte të ishte kryetar i bashkisë Kamëz.

Shkarkoni aplikacionin e A2