Rekord Guinness në Etiopi: Mbillen 350 milionë pemë në 12 orë – A2

Rekord Guinness në Etiopi: Mbillen 350 milionë pemë në 12 orë

Ndryshimet klimatike janë një fenomen shumë shqetësues për të gjithë globin. Për t’i luftuar sadopak, Etiopia ndërmori një masë rekord: mbolli 350 milionë pemë në vetëm një ditë, në një përpjekje për të luftuar shkretëtirëzimin e vendit.

Nisma e quajtur “Trashëgimia e Gjelbër” bëhet për të rikthyer pasurinë pyjore në një nga shtetet më të thata të kontinentit afrikan. Sipas numrave zyrtarë, për 6 orë u mbollën mbi 100 milionë pemë dhe pas 12 orësh kjo shifër u trefishua, duke i rrëmbyer rekordin Guinness Indisë, që në vitin 2017 mbolli 66 milionë pemë në të njëjtin hark kohor.

Shkencëtari Samuel Geleta tha: “Çështja e mjedisit është një shqetësim madhor në nivel global, por është dhe më i madh për këtë vend. Shumë nga problemet dhe uria në këtë shtet lidhen me mungesën e mbrojtjes së mjedisit”.

Ndërsa gazetari Dejene Gutema tha: “Vendi ishte i pasur me pyje më përpara, por tani është shkatërruar. Prandaj kjo është një mundësi e mirë për t’i rikthyer gjërat siç ishin”.

Mobilizimi i qytetarëve erdhi përmes rrjeteve sociale, me nismën e kryesuar nga kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed. Në të morën pjesë edhe përfaqësi diplomatike të huaja dhe misioni i Bashkimit Europian.

Objektivi për vitin 2019 është mbjellja e 4 miliardë pemëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2