Dekretet për zgjedhjet vendore, Presidenti Meta i kthen përgjigje Kuvendit

Presidenti Ilir Meta i kthen përgjigje Kuvendit lidhur me proceduart e nisura nga mazhoranca për shkarkimin e tij, për shkelje të Kushtetutës.

Kreu i shtetit argumenton se anulimi i zgjedhjeve të 30 qershorit përmes shfuqizimit të dekretit të parë dhe më pas caktimi i datës së re, më 18 tetor, erdhi në kushtet e një krize të rëndë politike, kushtetuese, institucionale.

Në këto kushte, ndërhyrja e kreut të shtetit, theksohet në letër, ishte e domosdoshme për shmangien e konflikteve civile.

Meta i kujton kryeparlamentarit Ruçi edhe precedentët e mëparshëm, përfshirë vendimin e Ramiz Alisë,  për zgjedhjet e zhvilluara në datë 31 mars 1991. Në fund, Meta thekson se aktet e ndërmarra nga ana e tij janë me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si të tilla, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre.

Meta i cilëson, procedurat për shkarkimin e tij fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij. Në vlerësim të Presidentit të Republikës, procedurat janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN