Dekreti mbretëror në Arabinë Saudite: Femrat mund të udhëtojnë vetëm

Gratë në Arabinë Saudite mund të udhëtojnë tashmë vetëm edhe jashtë shtetit, pa patur nevojë për lejen e një kujdestari mashkull.

Ky është dekreti i fundit mbretëror, që lejon gratë mbi 21 vjeç të aplikojnë për pasaportë, pa patur nevojën për autorizimin e një kujdestari mashkull, babai, vëllai apo bashkëshorti. Dekreti është konsideruar menjëherë një fitore për femrat saudite, duke i vendosur ato në një pozicion të barabartë me burrat.

Po me këtë dekret, femrat kanë fituar edhe të drejtën të regjistrojnë në gjendje civile fëmijët e porsa lindur apo të regjistrojnë në gjykatë të drejtën për t’u martuar apo për tu divorcuar.

Vendimi vjen pasi kohët e fundit femra me profil të lartë në Arabinë Saudite janë përpjekur të largohen nga vendi, kryesisht drejt Britanisë dhe Kanadasë, qoftë edhe përmes kërkesës për azil.

Princi i kurorës Mohammed Bin Salman, është përpjekur të lehtësojë disa masa shtrënguese për femrat, përfshirë këtu edhe vendimin e njëviti më parë, që i lejon femrat të drejtojnë makinën, një përpjekje kjo për të reformuar paksa mbretërinë konservative. Por ende në Arabinë Saudite, meshkujt, bashkëshortët apo prindërit, kanë autoritetin të marrin vendime kritike për femrat, për martesë apo punësim.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN