Palmer: Sfida e tanishme e Kosovës, krijimi i qeverisë së re

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer, gjatë një intervistë për Zërin e Amerikës foli për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi, çështjen e dialogut dhe taksat e vendosura nga Prishtina zyrtare ndaj produkteve serbe.

Sipas zyrtarit të lartë amerikan, sfida e radhës në Kosovë është krijimi i një qeverie të re që do të rivendoste dialogun me Serbinë dhe do të pezullonte taksën aq shumë të debatuar.

Matthew Palmer shprehu bindjen se shumë shpejt Kosova dhe Serbia do të ulen në tavolinën e negociatave për të gjetur një marrëveshje gjithëpërfshirëse

“Ne kemi shumë shpresë që Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një rrugë për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve dhe pastaj të gjejnë rrugën për arritjen e një marrëveshjeje që të ketë mbështetje reciproke, që të rezultonte në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre. Dhe kjo do të hapte rrugën për një të ardhme evropiane për të dyja vendet, për Kosovën dhe për Serbinë”, tha Palmer.

Diplomati amerikan gjithashtu mohoi të ketë dijeni për një marrëveshje mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiç që përfshin shkëmbimin e territoreve. Sipas tij, tashmë është e rëndësishme që palët t’i rikthehen dialogut.

“Nëse ekziston një draft marrëveshje, nëse ekziston një marrëveshje gjithpërfshirëse që është gati për nënshkrim, unë nuk e kam pare”, u shpreh zyrtari amerikan.

Shkarkoni aplikacionin e A2