Pika kufitare e Morinit, radhë kilometrike me kamionë të tonazhit të rëndë

Me dhjetra kamionë të tonazhit të rëndë bllokohen gjatë fundjavës në pikën e kalimit kufitar të Morinit, në tentativë për t’u futur në Kosovë.

Kjo pasi ata që nuk arrijnë të kalojnë kufirin deri në orën 16:00 të pasdites së të premtes, u duhet të qëndrojnë në kufi deri ditën e hënë. Qëndrimi i tyre krijon radhë kilometrike që arrijnë deri në afërsi të fshatit Morin. Kjo për arsye se dogana e Kosovës në fundjavë nuk punon për përpunimin e automjeteve të tonazhit të rëndë.

Prej kohësh ky është problemi më shqetësues për drejtuesit e këtyre automjeteve dhe biznesmenët. Gjatë qëndrimit, atyre u shtohet jo pak kostoja e shpenzimeve për mungesë të qarkullimit të mallrave. Unifikimi i sistemit doganor mbetet ende një tentativë për t’u aplikuar nga qeveritë e dy vendeve.

Ky unifikim tepër i kërkuar nga bizneset, si në Shqipëri dhe Kosovë, pritej të përfundonte brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Por, mesa duket, transportuesit e mallrave do të vijojnë pritjet gjatë fundjavave deri në fund të këtij viti, si pikë e parealizuar e marrëveshjes mes dy qeverive.

Shkarkoni aplikacionin e A2