Fshehje të ardhurash e zënie e hapësirave në plazh, procedohen 12 pronarë

Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 12 pronarë subjektesh, 9 në Velipojë dhe 3 në Pogradec, nga të cilët 11 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.

Policia e Shkodrës në bashkëpunimin me FNSH Shkodër, ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 3000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve” shtetasit E. E., GJ. RR., P. N., K. M., K. GJ., N. R., N. U. dhe L. F., të cilët në plazhin publik Velipojë kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme.

Po në vijim të operacionit u procedua penalisht për veprën penale “Pushtimi i tokës”, shtetasi GJ. F., pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se ky shtetas kishte zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.

Operacioni ka vijuar dhe në Pogradec, ku janë proceduar penalisht për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, 3 shtetas, të cilët ushtronin aktivitetin privat të tyre, pa dokumentacionin përkatës.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim e zbatim të planit të masave për evidentimin, ndëshkimin e paligjshmërisë dhe konkretisht goditjen e rasteve kundër informalitetit, proceduan penalisht shtetasit: E.M., 31 vjeç, A.M., 46 vjeç dhe SH.R., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë ushtruar në aktivitetet e shtetasve të lartpërmendur (plazhe private), në Pogradec, janë konstatuar një pjesë e shezlongëve pa dokumentacionin përkatës.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.

Shkarkoni aplikacionin e A2