Kushte më të mira në Vlorë, por më pak turistë

Në kulmin e sezonit veror, Vlora, por edhe i gjithë bregdeti i jugut, nuk ka përmbushur pritshmëritë sa i takon numrit të vizitorëve.

Edhe pse ministri i Turizmit, Blendi Klosi deklaroi që në fillim të sezonit se ka një shtim të numrit të vizitorëve të huaj me 22%, ky fakt nuk reflektohet në terren.

Edhe pse shërbimet janë përmirësuar, kjo gjë nuk ka sjellë shtim të numrit të vizitorëve. Edhe pse ato që janë, janë të kënaqur me kushtet dhe çmimet, nga pamjet duket se shezlongët janë bosh.

Por, më shumë se kushdo tjetër, mungesën e turistëve e ndjejnë operatorët turistikë që operojnë në jug. Vasil Bedinaj, kryetar i Operatorëve Turistikë të Jugut, shprehet: “Jemi në kulmin e sezonit turistik dhe Vlora paraqitet jo në nivelet që ne prisnim. Çmimet janë ulur këtë vit, por qershori ka qenë me 30% kapacitet, ndërsa korriku 70%. Sot, nëse doni të prenotoni, gjeni dhoma bosh në shumicën e hoteleve”.

Po kush kanë qenë ata që kanë anuluar më së shumti pushimet e tyre në bregdetin e jugut?

“Ka pasur edhe anulime. Rekord anulimesh ka pasur nga Gjermania”, tregon Bedinaj.

Kryetari i Operatorëve Turistikë të Jugut jep edhe shkaqet që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në numrin e turistëve këtë vit: “Një nga faktorët kryesorë është mungesa e akomodimit. E dyta është politika, që ka ndikuar këtë sezon. Ka pasur shumë anulime nga operatorë të huaj. Ky duhet të jetë mësim për ne”.

Pushimet, çdo njeri do që t’i kalojë sa më qetë dhe sa më i sigurtë. Dhe mesa duket, këtë vit institucionet shqiptare dhe klasa politike nuk i kanë krijuar këto dy kushte elementare për të patur një turizëm të mbarë, që në fakt është një industri e tërë që po dëmtohet nga vetë ata që duhet të bëjnë gjithçka që kjo industri të zhvillohet.

Shkarkoni aplikacionin e A2