Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Zgjedhja e kreut të prokurorisë, në garë janë tre prokurorë dhe një avokat

Nga A2 CNN
4 Gusht 2019, 12:39 | Aktualitet
Zgjedhja e kreut të prokurorisë, në garë janë tre

Gara për kreun e akuzës do të çojë në konkurs 3 prokurorë me një CV të pasur dhe një avokat. Katër kandidatët për karrigen e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme pritet të dalin në një intervistë pikëzimi dhe përzgjedhje nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

E votuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 69 vota, Arta Marku është kandidatja më e përfolur për t’u rizgjedhur në këtë post. Dy shkallët e vetting-ut, edhe pse i vunë nota jokaluese për performancën e saj para komisionit të kualifikimit, i dhanë asaj mundësinë e vazhdimit të detyrës. Por, i vetmi moment ende i paqartë janë vendimet e saj për emërimet dhe transferimet e prokurorëve, duke kaluar, sipas konsitucionalistëve, kompetencat që i jep ligji.

Marku do të mbahet mend si kryeprokurorja që u padit nga vartësit e saj për shkelje të kompetencës, por edhe për deklaratat e saj në lidhje me dosjet e nxehta.

Olsian Çela është një tjetër kandidat i fortë që konkurron përkrah Markut. Me një eksperiencë të gjatë pune dhe përvoje në prokurori, Olsian Çela mbahet mend si prokurori që çoi në qeli dy kolumbianë dhe ish-nipin e diktatorit Enver Hoxha, në atë që njihet si dosja “Xibraka”. Çështja përfshiu edhe shumë emra të tjerë si të përfshirë në përpunimin dhe trafikimin e heroinës në territorin shqiptar. Çela u vlerësua me notën maksimale nga komisioni i vetting-ut në dy shkallët e tij.

Fatjona Memçaj përfundoi shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Gjithashtu ka mbaruar studimet për doktoraturë në universitetin Middlesex Londër. Njihet si prokurorja që dënoi në Apel Kastriot Ismailin. Gjithashtu, ajo njihet dhe si një nga prokuroret e përkrahura nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla. Lektorja i kaloi dy shkallët e vetting-ut me sukses, pa u kapur në shkelje pas hetimit të 5 çështjeve dhe pasurisë së vënë ndër vite.  

Emri i Lulzim Alushajt ishte i papritur në garën zyrtare për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Lulzim Alushaj 14 vite më parë arriti të marrë titullin profesional “Avokat” nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë në Itali, ndërsa mban edhe gradën doktor i shkencave juridike, kualifikim të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera në Napoli të Italisë. Përparësi kandidatit në fjalë i jep fakti se ai është i vetmi që ka përfunduar studimet doktorale në një nga vendet e Bashkimit Europian. Alushaj përfundoi në 2005 masterin për jurist ndërkombëtar në Universitetin e Bolonjës në Itali, ndërsa gjatë periudhës 2000-2004 është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin e Bolonjës.  

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani