Aksioni kundër informalitetit, procedohet penalisht drejtori i ALUIZNI-t në Elbasan

Në sajë të operacionit kundër informalitetit ka nisur procedimi penal ndaj 66 shtetasve, mes të cilëve edhe ndaj drejtorit të ALUIZNI-t në Elbasan për shpërdorim detyre.

Policia ka bërë të ditur se vetëm gjatë  fundjavës janë ushtruar kontrolle në qindra subjekte të ndryshme në zonat urbane, kontrolle në pyje e kullota për prerje të paligjshme, në fushën e  ndërtimeve pa leje apo të tregtimit të hidrokarbureve, etj.

Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe janë proceduar penalisht 66 shtetas për vepra penale si:  “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm”,  “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Ndërtimi pa leje”  dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Konkretisht:

13 raste janë evidentuar dhe ndëshkuar në  qarkun Dibër, 9 raste në qarkun Elbasan, 8 raste në qarkun Durrës, 7 raste në qarkun  Gjirokastër, 5 raste në qarkun Korçë,  5 raste në  qarkun Tiranë, 5 raste në qarkun Lezhë, 4 raste në qarkun Shkodër, 3 raste në qarkun Kukës, 3 raste në Qarkun Fier, 2 raste në qarkun Vlorë dhe 2 raste në qarkun Berat

Policia e Shtetit gjatë këtij operacioni  është përqendruar edhe në zbulimin, dokumentimin dhe procedimin  penal të  çdo zyrtari Bashkie, Tatimesh, IQT, Dogane, Punësimi etj., të cilët me dashje nuk kanë kryer detyrën për kontrollin e territorit, por kanë lejuar informalitetin, ndërtimet pa leje, ushtrimin e aktiviteteve të tregtisë së paligjshme, ushtrimin e aktivitetit tregtar pa kasë fiskale, shmangien doganore në interes të tyre ose të personave të tretë, duke i sjellë dëme të konsiderueshme mjedisit, qytetarëve, bizneseve të ligjshme, nëpërmjet lejimit të konkurrencës së pandershme si dhe i kanë sjellë dëme të konsiderueshme buxhetit të shtetit. Në këtë kuadër në Elbasan është proceduar Drejtori  i ALUIZNI-t në Elbasan,  për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” pasi dyshohet se ka lëshuar një leje legalizimi për një objekt, pa dokumentacionin përkatës.

Shkarkoni aplikacionin e A2