Meta dekreton shpalljen e dy ligjeve të miratuara nga Kuvendi

Presidenti Meta ka dekretuar shpalljen e dy ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë.

Konkretisht, Meta ka miratuar “Shpalljen e ligjit nr. 48/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Këto ndryshime janë argumentuar nga Kuvendi si të nevojshme në plotësim të vakumit të krijuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dy vite më parë, që ka shfuqizuar si të papajtueshme me Kushtetutën disa dispozita të këtij ligji të lidhura me funksionin apo procesin disiplinor që zhvillohet ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu është miratuar edhe shpallja e ligjit nr. 54/2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj u krijon mundësi qytetarëve që të dërgojnë në Kuvend propozime të ligjeve për miratim.

Gjithashtu, Presidenti i Republikës, nxit dhe inkurajon Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, apo organet e tjera të sistemit të drejtësisë që sipas përcaktimeve të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, tashmë të ndryshuar të bëjnë çmos që i gjithë sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë të funksionojnë në mënyrën e duhur.

“Pas plotësimit dhe përmirësimit të ligjit, tashmë është detyrë dhe përgjegjësi e organeve respektive të zbatojnë me rigorozitet, jo vetëm ligjin nr. 96/2016, por gjithë kuadrin kushtetues dhe ligjor të paketës në reformën e sistemit të drejtësisë, për të bërë të mundur që vendi ynë të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm dhe të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht, të cilët duhet të pranohen, emërohen, dhe të zhvillojnë karrierën e tyre brenda sistemit të drejtësisë, bazuar mbi një sistem vlerësimi dhe promovimi që bazohet në meritë, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri”, thuhet në deklaratën e Presidencës.N

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN