Nis restaurim, zbulohet sarkofagu i mbretit Tutankhamun

Për herë të parë, trupi i mbretit Tutankhamun është nxjerrë jashtë sarkofagut prej floriri, teksa ka nisur zyrtarisht puna për restaurimin e tij, që pritet të zgjasë 8 muaj. Zyrtarët egjiptianë të antikitetit zbulojnë për mediat sarkofagun e famshëm, vendosur tashmë në qendrën e Muzeut të Madh egjiptian.

Sarkofagu shtetëror, pjesë e 3 të tillave, zbuluar në Luginën e Mbretërve në Luksor, është shumë i brishtë dhe për të duhet patur shumë kujdes, tha ministri i Antikitetit Khaled Anany, duke theksuar se për të kurrë nuk është kryer ndonjë ndërhyrje, që kur u zbulua për herë të parë më shumë se 100 vjet më parë. 

“Ne kemi bërë vetëm ndërhyrjen e ndihmës, më pas e zhvendosëm varrin në muze. Është mbajtur në izolim për 7 ditë dhe nisëm procesin e tymosjes për 3 javë. Tani kemi 8 muaj në dispozicion për ruajtjen dhe restaurimin e tij”, tha ministri Anany.

Sarkofagu dhe i gjithë thesari historik i koleksionit të varrit të mbretit Tutankhamun pritet të jenë pjesa qendrore e muzeut të madh egjiptian, të cilin zyrtarisht Egjipti do ta inaugurojë vitin e ardhshëm, pranë Piramidave të Gizës.  

Arkeologu britanik Howard Carter zbuloi varrin e mbretit në Luginën e Mbretërve në Luksor në vitin 1922. Varri ishte i paprekur dhe në të gjendeshin rreth 5 mijë artefakte, sende të Tutankhamun, që do të zbulohen për herë të parë në muze. Sarkofagu në fjalë u transportua në korrik nga jugu i Egjiptit drejt muzeut. Ndërkohë vetë muzeu, në të cilin punimet vijojnë prej 15 vitesh me financim japonez, pritet të jetë gati në 2020. 

Shkarkoni aplikacionin e A2