Pensionet e “arta” të BE, Juncker e Mogherini mbi 20 mijë euro në muaj

Skandali me pensione të arta përfshin dhe Brukselin. Sipas një investigimi të mediave italiane, presidenti në largim i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, do të arkëtojë 22 mijë euro në muaj, pasi të dalë zyrtarisht në pension në moshën 65-vjeçare. Paga e tij aktuale është 27 mijë euro në muaj. Pas tij vjen Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, e cila do të përfitojë 20 mijë euro në muaj.

I njëjti trajtim do të jetë edhe për 21 komisionerët në largim të BE-së, pensioni i të cilëve do të arrijë shumën prej 18 mijë euro. Por nuk përfundon këtu.

Rregullat europiane parashikojnë edhe pagesën e një periudhë tranzicioni pas largimit nga puna, që llogaritet nga 40% deri në 60% të pagës dhe që zgjat 24 muaj. Këto privilegje vlejnë edhe për eurodeputetët, të cilët do t’i kushtojnë Bashkimit Europian nga 9 mijë euro në muaj pas daljes në pension.

Nga viti 2009, Brukseli ndryshoi moshën e pensionit në 65-vjeç, ndërsa më përpara mund të dilje edhe 50-vjeç.Bashkimi Europian i justifikon këto shuma të majme si një metodë për të shmangur konfliktin e interesit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN