Sulmet në SHBA, Trump i dënon mes akuzave për përgjegjësi

“Dhuna nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara”. Me këto fjalë ju drejtua amerikanëve presidenti Donald Trump, i vënë nën shënjestër të akuzave se ka përgjegjësi për dy sulmet e ndodhura gjatë fundjavës ku mbetën të vrarë 29 vetë.

20 persona humbën jetën gjatë sulmit në një dyqan “Walmart” në El Paso të Teksasit, ndërsa 9 të tjerë u vranë në Deytona të Ohio-s.  Trump e pranoi se ndoshta duhet bërë më shumë për të ndalur sulme të tilla.

“Ne i duam njerëzit. Dhuna nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara dhe ne do të kujdesemi që të mos ketë më. Ne kemi bërë më shumë se çdo administratë tjetër, por ndoshta ka endë gjëra që duhen ndrequr. Këto akte ndodhin prej vitesh në vendin tonë dhe ne duhet t’i ndalim”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump i lidhi sulmet me probleme mendore duke thënë se agresorët ishin njerëz të sëmurë. Por kritikët pretendojnë se ai është pjesë e problemit me retorikën e tij kundër emigrantëve dhe kundërshtitë ndaj kontrollit të armëve.

Një 21-vjeçar që u arrestua të shtunën për të shtënat në Texas, besohet të ketë postuar një dokument online ku e quan sulmin një kundërpërgjigjje ndaj pushtimit të këtij shteti nga hispanikët. Autori i identifikuar si Patrick Crusius hapi zjarr në dyqanin e mbushur plot me njerëz të “Walmart”, me një armë dhe u dorëzua pas rrethimit nga policia. Ai rrezikon dënimin me vdekje.   Mes viktimave janë 6 shtetas meksikanë.

Motivet e agresorit të Ohio-s, i cili vrau motrën dhe 8 të tjerë të dielën para se të qëllohej nga policia mbeten të paqarta. Coonor Betts, 24 vjeç hapi zjarr në një zone popullore të jetës së natës në orët e para të mëngjesit.

Shkarkoni aplikacionin e A2