Zgjedhje në 13 tetor? LSI e PR dorëzojnë kërkesën për regjistrim në KQZ – A2

Zgjedhje në 13 tetor? LSI e PR dorëzojnë kërkesën për regjistrim në KQZ

LSI dhe PR  e Fatmir Mediut janë partitë e para që kërkojnë të regjistrohen për zgjedhjet e 13 tetorit. Sekretari i përgjithshëm i LSI, Endrit Brahimllari, depozitoi në KQZ kërkesën për regjistrim paraditen e së hënës. Të njëjtën gjë, më pas, bëri edhe Partia Republikane.

Por nëse KQZ do t’i japë dritën jeshile nisjes së procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 13 tetor, atëherë garuesit do të duhet të bëjnë llogaritë mirë me pushimet e gushtit.

Kapja e afateve, sipas Kodit Zgjedhor, përfundon sot me regjistrimin e partive dhe deri në fund të gushtit me listën e kandidatëve.

Pas depozitimit të kërkesës në KQZ, Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari foli për mediat duke thënë se kush nga “kamikazët e rilindjes në KQZ”, siç i quan ai, nuk respekton dekretin e Presidentit, nuk respekton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë do të mbajë përgjegjësitë e veta penale.

“Zgjedhjet janë më 13 tetor, ka një dekret të Presidentit të Republikës dhe zgjedhjet janë të detyrueshme për të gjithë. Kush nga kamikazët e rilindjes në KQZ nuk respekton dekretin e Presidentit, nuk respekton Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Shqipërisë do të mbajë përgjegjësitë e veta penale. Mesa duket këto i kanë marrë parasysh të bëhen kamikaz të Edi Ramës dhe të rilindjes dhe t’i mbajnë vetë përgjegjësitë që do të kenë në të ardhmen”, tha Braimllari.

Ai u pyet nga gazetarët edhe për mosregjistrimin deri tani të PD, por nuk dha një përgjigje. “Unë kam ardhur në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim për të regjistruar kërkesën për regjistrim të LSI-së. Ajo ç’ka është e rëndësishme është që data 13 tetor është ditë zgjedhjesh e ligjshme në vend për zgjedhjet për pushtetin lokal dhe është e respektueshme nga të gjithë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2