13 Tetori dhe kërkesa për regjistrim, Duka: KQZ e kapur, kemi dy shtete paralele

Partia Agrare Ambientaliste është një nga 3 partitë, së bashku me LSI dhe PR, të cilat një ditë më parë dorëzuan në KQZ kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhjet lokale të 13 tetorit të dekretuara nga Presidenti Ilir Meta.

Kryetari i kësaj partie, Agron Duka, ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00, nga ku u shpreh se të gjitha partitë aleate kanë diskutuar në lidhje me këtë vendim edhe më PD-në.

“Të gjithë kemi qenë në një emërues të përbashkët që KQZ duhet të ndërmerrte patjetër hapin për regjistrimin e partive në zgjedhjet e 13 tetorit. Me këtë, do të thotë se të gjitha partitë njohin dekretin e Presidentit dhe nuk njohin zgjedhjet e 30 qershorit. Aleatët janë të gjithë së bashku. Të gjithë e dinë që zgjedhje më 13 tetor nuk ka pasi KQZ është e kapur, i gjithë shteti është i kapur nga Edi Rama. Ne bëmë aktin formal. Ai ishim dy, tre apo të gjithë, kjo nuk ka rëndësi. Në njëfarë mënyre ne kemi dy shtete paralele. Kjo na nxjerr shumë keq edhe me ndërkombëtarët”, tha Agron Duka.

Më tej, kreu i PAA theksoi se në dorë zgjidhjen e krizës e ka mazhoranca. “Zgjidhja e krizës kalon nga mazhoranca, pasi opozita ka hequr dorë nga të gjitha pushtetet. Ne duam zgjedhje të lira, por fakti është që zgjedhje të lira me këtë Kryeministër nuk bëhet. Kjo është vërtetuar nga përgjimet e publikuara nga Bild, por edhe nga vendimi i fundit i DASH për Vangjush Dakon”, tha Duka.

Shkarkoni aplikacionin e A2