Basha: Socialistët refuzuan Ramën më 30 qershor, babëzia e tij sjell varfërim

Kreu i PD, Lulzim Basha vijon turin e takimeve me strukturat e partisë së tij dhe ndalesa e radhës ishte Patosi. Sipas kreut të opozitës 1/3 e socialistëve e refuzuan më 30 qershor qeverisjen kriminale të Edi Ramës.

“Sa i përket pjesëmarrjes reale, përfshirë ata që janë detyruar me forcë, në bashkinë e Patosit, refuzimi masiv ka arritur një tjetër rekord me 13 për qind. Kjo do të thotë se në Patos vetëm një në tre socialistë ka shkuar të votojë në procesin farsë të 30 qershorit”, shpreh Basha.

Lideri i opozitës tha se refuzimi i qytetarëve për të marrë pjesë në votimet e 30 qershorit erdhi pas qëndrimeve politike të opozitës së bashkuar dhe protestave popullore.

“Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan”,  shtoi Lulzim Basha.

Më tej kryetari Basha tha para demokratëve të Patosit se Edi Rama ka ngritur një sistem grabitje me koncensione dhe PPP.

“Çdo vendim, çdo akt qeverie, çdo ligj parlamenti, çdo rregullore, çdo gjë është për të vjedhur dhe për të grabitur. Jo vetëm me vjedhjen e buxhetit, vjedhjen në dogana, që ka kapur nivele të padëgjuara që në ditët më të zeza të qeverisjes së Fatos Nanos, vjedhjen me tatimet, vjedhjen me tenderat. Tani po vjedhin me koncensionet dhe PPP-të”, tha kreu i demokratëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2