Ngërçi i Brexit, Britania: Brukseli të ndryshojë qëndrim

Qeveria britanike refuzon pretendimet se nuk është e gatshme të negociojë më BE-në dhe se dëshiron dështimin e bisedimeve për të lejuar një Brexit pa ujdi. Reagimi vjen pasi Brukseli e cilësoi si të papranueshme kërkesën e Londrës për të hequr mekanizmin frenues për Irlandën e Veriut nga ujdia e Theresa May.

Negociatorët e BE-së iu thane diplomatëve europianë se nuk ekzistonin bazat për diskutime të frytshme, dhe se bisedimet ishin kthyer në pikën e tre viteve më parë. “Downing Street” theksoi se Brukseli duhet të ndryshojë qëndrim. 

“Kryeministri dëshiron të takohet me liderët e BE dhe të negociojë një ujdi të re, e cila nuk do të përfshijë mekanizmin frenues anti-demokratik. Ne jemi gati për negociata, me energjinë më të madhe dhe shpirtin e miqësisë. Shpresojmë që Bashkimi Europian do të rivlerësojë qëndrimin e tij për të lë lejuar ndryshime në ujdinë e shkëputjes” tha një zëdhënës i “Downing Street”.

Marrëveshja e negociuar nga Theresa May është refuzar 3 herë nga parlamentarët britanikë, kryesisht për të ashtuquajturin ‘’Backstop’’, mekanizmi që parandalon kthimin e kufijëve të fortë më Irlandën e Veriut. Nëse ai do të implementohej, Irlanda do të qëndronte e lidhur me disa prej rregullave të tregut të përbashkët të BE.

Kryeministri i ri Boris Johnson është zotuar të përmbushë divorcin brenda afatit të 31 tetorit, me apo pa ujdi. Bisedime të mëtejshme mes dy palëve nuk janë përjashtuar dhe samiti i G7-tës në Francë, në fund të muajit gusht, mund të jetë momenti i së vërtetës.

Shkarkoni aplikacionin e A2