Rouhani: Lufta me Iranin, nëna e të gjitha luftrave

“Lufta me Iranin është nëna e të gjitha luftrave”. Deklarata e fortë vjen nga Presidenti Hassan Rouhani gjatë një fjalimi, në të cilin paralajmëroi edhe një herë se lundrimi nuk është i sigurtë në Ngushticën e Hormuzit.

Tensionet janë rritur ndjeshëm mes Iranit dhe Perëndimit që prej tërheqjes së vitit të kaluar të Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore. Rouhani u shpreh i gatshëm për bisedime me Uashingtonin, por vendosi dhe një kusht.

“Republika Islamike e Iranit është në negociata dhe nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë vërtetë bisedime, atëherë duhet të heqin të gjitha sanksionet. U takon atyre të rikthehen ose jo në ujdinë bërthamore. Por, duhet të heqin të gjitha sanksionet në mënyrë që të mos jenë më kriminelë kundër të drejtave të njeriut”, tha Rouhani.

Presidenti Iranian kërkoi që vendi i tij të lejohet të eksportojë naftë dhe vlerësoi punën e bërë nga ministri i Jashtëm, Javad Zarif, pasi administrata amerikane i vendosi sanksione. Frika për një përplasje të mundshme ushtarake në Gjirin Persik është rritur ndjeshëm, me Iranin që sekuestron naftëmbajtëse të perëndimit me arsyetimin se kanë shkelur rregullat ndërkombëtare të lundrimit.

Rouhani i konsideroi kërcënimet e perëndimit të kota, duke thënë se gjatë sekuestrimit të një çisterne të Britanisë një luftanije e këtij shteti gjendej fare pranë, por nuk ndërhyri.

Gjithashtu, paralajmëroi ushtritë e huaja në rajon që të mos provokojnë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2