Saktësohen ndryshimet, Ministria sqaron procedurat për shtetësinë shqiptare

Ministria e Brendshme propozon ndryshime ligjore që lehtësojnë marrjen e shtetësisë shqiptare, pavarësisht etnisë, ndërkohë që do të kalojnë në filtër shtetësitë që jep Presidenti i Republikës.

Çdokush që provon se ka origjinë nga një i paralindur, deri në shkallë të tretë me origjinë shqiptare, do të mund të fitojë shtetësinë. Ministria e Brendshme ka sqaruar kështu ndryshimet në ligjin për marrjen e shtetësisë.

“Të gjithë ata shtetas të huaj të cilët jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe arrijnë të provojnë që kanë origjinë, por gjithmonë me të paralindurin, deri në shkallë të tretë me shtetësi shqiptare, do të mund të fitojnë shtetësinë shqiptare. Ka shtetas nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, po ka shqiptarë nga Siria që e vërtetojnë shtetësinë shqiptare, kryesisht nëpërmjet regjistrave të vjetër të gjendjes civile, të kohës së mbretit Zog, dhe ata sigurisht që kanë të gjithë të drejtën të aplikojnë dhe të fitojnë shtetësinë shqiptare”, shpjegoi zv.ministrja e Brendshme

Voda saktësoi edhe rrethanat për marrjen apo heqjen e shtetësisë shqiptare.

“Të gjithë ata fëmijë të lindur apo janë të gjetur në territorin e Republikës së Shqipërisë, por me prindër që nuk njihen apo nuk kanë shtetësi, do të fitojnë shtetësinë shqiptare. Ndërsa shtetësia do të hiqet në rastet kur vërtetohet dhe ka të dhëna nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare se personi është i përfshirë apo përkrah veprimtari kriminale apo terroriste. Me propozim të ministrit përgjegjës bëhet përgatitja e të gjithë dokumentacionit përkatës dhe atij i hiqet shtetësia”, shtoi Voda.

Zv/ministrja foli edhe për procedurat e marrjes së shtetësisë nga investitorët si dhe mundësinë e rishikimit të një shtetësie që është dhënë me dekret presidenti.

“Kur flasim për programe ekonomike, nuk flasim për vlera të vogla. Nëse  do të kemi një dekret nga presidenti dhe personi që merr shtetësinë shqiptare do të dyshohet për aktivitet që cënon sigurinë kombëtare, tashmë, kjo është risia e këtij ligji edhe ne nëse nuk jemi vënë në dijeni nga Presidenca kemi gjetur mënyrën apo rregullatorin për ta rregulluar këtë dëm”, tha Voda.

Sipas zv/ministres Voda, ligji i ri për shtetësinë është brenda direktivave dhe standardeve të parashikuara nga Bashkimit Europian.

Shkarkoni aplikacionin e A2