Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Atentat të dënuarit për drogë. Ekzekutohet me 5 plumba 47-vjeçari me dy emra

Nga A2 CNN
7 Gusht 2019, 21:07 | Kronikë

Një tjetër atentat me armë është regjistruar në rrethin e Vlorës, kësaj radhe në Bashkinë e Selenicës.

Në orët e mbrëmjes së të mërkurës është ekzekutuar pranë banesës Dilaver Tozaj, 47 vjeç. Viktima kishte ndërruar emrin dhe mbiemrin dhe njihej edhe si Nikola Ikonomi. Viktima është gjetur nga kalimtarët e rastit në rrugë dhe është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plumbave që kishte marrë në kokë dhe kraharor.

Policia ka gjetur në vendngjarje 7 gëzhoja pistolete, ndërsa mbi trupin e të ndjerit ishin derdhur 5 plumba.

Dilaver Tozaj ose Nikola Ikonomi rezulton i dënuar më parë për trafik narkotikësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 6 vite e 8 muaj burgim. Ndërkohë, policia ka shoqëruar 15 persona gjatë natës që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por ende nuk ka një pistë apo emra konkretë të autorit të dyshuar.

Policia mendon se ekzekutimi mund të jetë kryer nga një person i vetëm, i cili e ka njohur mirë zonën dhe ka studiuar lëvizjet e viktimës. Gjithashtu, autori mendohet të jetë një person i sprovuar, duke patur paraysh se e ka qëlluar viktimën në kokë dhe kraharor, vrasje këto tipike mafioze.

Mësohet se viktima, përpara se të ekzekutohej, është telefonuar nga ekzekutori dhe i është kërkuar të dilte në rrugë, përpara banesës.

E kaluara e viktimës është pista kryesore që po ndjek policia për të zbardhur vrasjen e radhës në këtë rreth. Katër ditë më parë, në zonën e ish-kabinave të plazhit të vjetër u qëlluan me armë babë e bir, duke mbetur i vdekur Arben Beqiraj dhe plagosur djali i tij. Për këtë ngjarje, ndonëse janë identifikuar autorët e dyshuar, nuk është ndaluar asnjë prej tyre.   

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani