“Au revoir” Rangers… Grezda drejt Francës

Eros Grezda është shumë pranë largimit nga Rangers dhe me shumë mundësi sezonin e ardhshëm do të luajë në Francë. Të paktën kështu shkruajnë mediat britanike, të cilat e konsiderojnë të mbyllur aventurën e mesfushorit të Kombëtares shqiptare në Skoci.

Sipas “Scotish Sun”, trajneri Steven Gerrard e ka kaluar Grezdën të stërvitet me skuadrën e dytë dhe nuk e ka më në planet e tij për sezonin e ri, pasi ka ndërmarrë një fushatë “rinovimi”. I blerë për 2 milionë paund verën e kaluar nga Osijek, Grezda ka mundur të luajë vetëm 7 takime në kampionatin skocez (edhe për shkak të një dëmtimi) dhe ka shënuar vetëm 2 gola, në fitoren 7-1 kundër Motherwell nëntorin e kaluar.

Po spias “Scotish Sun”, menaxheri i tij Ives Cakarun, ka konfirmuar se 24-vjeçari është pranë transferimit në Francë, me Brest dhe Dijon dy destinacione të mundshme. “Kemi disa alternativa për Erosin, të shohim se çfarë do të ndodhë brenda pak ditësh”, citohet ai. “Duket se do të largohet shpejt nga klubi. Ka disa skuadra franceze të interesuara por duhet të presim”.

Largimi duket se u paralajmërua që një muaj më parë nga trajneri Gerrard, i cili pati thënë për mesfushorin shqiptar: “Mendoj se e ka parë që këtu është tjetër futboll dhe kërkesat janë të forta. Por talentin e ka. Nuk kam dyshime që mund të kalojë në një skuadër dhe kampionat ku stiliti i tij i lojës mund të përshtatet më shumë dhe të ketë sukses”.

Shkarkoni aplikacionin e A2