Frikë për sulm në Times Square, por është vetëm zhurmë motoçiklete

Zhurma e disa motoçikletave shkaktoi panik te njerëzit në Times Square në Nju Jork, të cilët filluan të vraponin me shpejtësi për t’u larguar nga zona nga frika se mos po qëllohej me armë zjarri.

Ngjarja e pazakontë ndodhi të martën në mbrëmje në sheshin më të famshëm në Shtetet e Bashkuara. Policia e qytetit sqaroi se zhurmat e motorit ishin dëgjuar nga një rrugë aty pranë. Nga pamjet e regjistruara duken njerëz që vrapojnë në panik. Sipas Policisë, vetëm një person është lënduar pasi është rrëzuar në tokë, ndërsa kishte edhe disa raste kur fëmijët ishin ndarë nga prindërit e tyre për shkak të rrëmujës.

Rreth 30 minuta pas ngjarjes, Policia sqaroi përmes një njoftimi në Twitter se në zonë nuk ishte asnjë person të armatosur dhe se sheshi ishte i sigurt. “Zhurmat erdhën nga disa motoçikleta që po kalonin aty pranë”, thuhej në njoftimin e Policisë në Nju Jorkut.

Shtetet e Bashkuara u tronditën javën e kaluar nga dy sulme të klasifikuara si “terrorizëm i brendshëm”. Të shtunën, një person i armatosur hapi zjarr në një qendër tregtare në El Paso, Teksas, duke vrarë 22 vetë dhe plagosur 24 të tjerë. Autori i dyshuar, 21-vjeçari Patrick Crusius, u arrestua në vendngjarje pak kohë më vonë. Mbi të rëndon akuza e vrasjes me armë dhe mund të dënohet me vdekje nëse shpallet fajtor.

Vetëm pak orë më pas, në Dayton, Ohajo, një person nisi të qëllonte me armë zjarri në një zonë popullore me klube nate. Policia arriti ta vriste 24-vjeçarin Connor Betts vetëm 30 sekonda pasi ai hapi zjarr, por kjo kohë i mjaftoi për të marrë 9 jetë njerëzish. Mes viktimave ishte edhe motra e autorit, Megan. Më vonë u zbuluan pamje filmike që tregonin motër e vëlla duke pirë bashkë në një lokal aty pranë, disa orë para nisjes së të shtënave.

Shkarkoni aplikacionin e A2