Grabitje si në filma. Vidhet Shtëpia e Thesarit në Meksikë, dëmi 2.5 milionë dollarë

Nga Spanja në pjesën tjetër të Atlantikut: në Meksikë. Vetëm se ka një ndryshim, këtë herë ka ndodhur vërtetë, nuk është një “fiction” si në serialin e suksesshëm televiziv spanjoll “La Casa De Papel”.

Dy persona të armatosur kanë thyer pengesën e sigurisë në Shtëpinë e Thesarit në qytetin e Meksikos dhe kanë grabitur monedha floriri historike dhe bizhu të tjera për një vlerë rreth 2.5 milionë dollarë.

Sipas asaj që bëjnë me dije mediat vendase, dy grabitësit kanë sulmuar fillimisht rojet e institucionit, duke i marrë dhe armët e tyre, përpara se të merrnin mbi 1500 monedha nga një dhomë e blinduar, e cila ishte hapur me forcë.

Hetuesit dyshojnë se pjesë e këtij operacioni të jenë dhe punonjës të Shtëpisë së Thesarit. Dy grabitësit janë larguar nga godina me anë të dy motoçikletave përpara se të arrinte policia. Nga kjo ngjarje nuk pati të lënduar.

Kjo nuk ishte hera e parë që grabitet Shtëpia e Thesarit në Meksikë, pasi një precedent i tillë u regjistrua dhe vitin e kaluar, kur ndërtesa po rikonstruktohej. 

Shkarkoni aplikacionin e A2