Hapet me forcë dera e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli futet në zyrë

Në një zyrë ku dominonte ngjyra blu, Rakip Suli u fut për të nisur punën e tij si Kryetari i ri i Bashkisë së Kamzës. Lëvizja e parë që bëri ishte largimi i karriges ku deri pak minuta më parë ishte ulur Xhelal Mziu.

Në prononcimin e parë për mediat, Suli u shpreh: “Në radhë të parë unë nuk do merrem me ngjyrat, ky do të jetë ndryshimi, do të merrem me hallet dhe problemet qe shqetësojnë qytetarët. Në këtë bashki, fatkeqësisht ka munguar çdo lloj shërbimi, por unë do të jem Kryebashkiak për të gjithë qytetarët e Kamzës”.

Ndërsa në lidhje me Xhelal Mziun, Suli shtoi: “Unë nuk e njoh këtë person, e njoh si një person që ka ndryshuar veten dhe jo Kamzën. Ndërsa unë kam ndryshuar fillimisht veten dhe tani do të punoj për Kamzën”.

Futja në zyrë gjithsesi nuk ishte krejtësisht normale për Sulin. Pak minuta para orës 16:00, këshilltarët e rinj të Bashkisë së Kamzës, të cilët bënë gjatë paradites betimin për të marrë zyrtarisht detyrën, u afruan pranë godinës, ndërsa disa persona, duke përdorur çekiç edhe daltë, arritën të hapnin me forcë derën e Bashkisë.

Fillimisht ishte raportuar se Mziu ndodhej në godinë, por kur Suli dhe shoqëruesit e tij u futën në zyrë e gjetën atë të boshatisur, me vetëm një flamur dhe fotografinë e Presidentit Meta në të.

Shkarkoni aplikacionin e A2