Rakip Suli, Kryebashkiak i Kamzës. Mziu: Jam në detyrë, 30 qershori i paligjshëm

Këshilli bashkiak i Kamzës zhvilloi mbledhjen e tij të parë jashtë godinës së bashkisë. Shkolla “Hilary Clinton” ishte zgjedhur për të bërë konstituimin e kësaj strukture të pushtetit lokal dhe më pas betimi i  Kryebashkiakut të ri, Rakip Suli.

Pasuesi i tij pas 12 vitesh, Rakip Suli  shoqërohej ne ceremoni nga deputetët Taulant Balla, Ervin Bushati dhe Prefektja e Tiranës Suzana Jahollari. Ndaj kësaj të fundit, Partia Demokratike pati depozituar në Prokurori një kallëzim penal për cenim të autonomisë së pushtetit vendor.

Ndërkohë, në zyrën e tij në Bashki, vazhdon të qëndrojë Kryebashkiaku i vjetër, Xhelal Mziu, i cili nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit. Ai këmbëngul se është ende kryetari i Bashkisë së Kamzës dhe deklaron se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë pasi më 30 qershor nuk pati zgjedhje të ligjshme. Sipas tij, Rakip Suli nuk përfaqëson askënd pasi në këto votime morën pjesë vetëm 6% të zgjedhësve.

“Vazhdoj funksionin për të cilin jam mandatuar. Zoti Suli përfaqëson një proces farsë ku morën pjesë në votime vetëm 6% të banorëve të Kamzës. Nuk besoj se pati zgjedhje më 30 qershor. Suli mori 4 herë më pak vota se kandidati i mëparshëm i PS në Kamëz. Ky është një uzurpim i institucioneve, ia kalojnë dhe kohës së Enver Hoxhës. Kemi një qeveri, parlament të një partie. Kush e njeh demokracinë e di se në 30 qershor nuk pati zgjedhje. Do vazhdojë detyrën sot deri në orarin zyrtar dhe nesër në orën 08:00 do kthehem sërish” u shpreh Xhelal Mziu për A2 CNN.

Shkarkoni aplikacionin e A2