Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Te burgu i Stalinit, aty ku uji merr flakë

Nga A2 CNN
7 Gusht 2019, 10:42 | Bota

Një prej zonave më spektakolare të Azerbajxhanit është pjesa jugore e tij, ku bregu i detit Kaspik është i rrethuar nga fusha të mëdha me çaj, fare piktoreske dhe sekrete tepër të veçanta. Një prej zonave më të skajshme të vendit, së fundmi arrihet për vetëm dy orë nga Baku, falë një rrugë të re.

Qyteti Lankaran është edhe qendra e kulturës së konsumimit të çajit në Azerbajxhan, ku mund të gjesh disa varietete, shpesh të nxjerrë në shitje në cep të rrugës nga kultivuesit vendas. Simboli i qytetit është një far i shekullit XVII, i cili lidhet me një kullë të vjetër përmes një tuneli të fshehtë.  Kulla “Zindan” nuk është thjesht një monument kulture, por edhe një ndërtesë që mbart shumë histori. Dikur pjesë përbërëse e fortesës së qytetit, sot ndërtesa është “pushtuar” nga pemët.

Në fillim të shekullit XX, para krijimit të Bashkimit Sovjetik, kulla përdorej si burg dhe një prej personave më të famshëm që ka vuajtur dënimin aty ka qenë edhe ai që më vonë do të shndërrohej në një prej diktatorëve më të pamëshirshëm të historisë botërore: Ioseb dze Jughashvili, i njohur edhe si Joseph Stalin.

Thuhet se Stalin është dërguar aty kur ishte një revolucionar i ri dhe, sipas legjendës, u arratis përmes një tuneli nëntokësor me ndihmën e Mammad Amin Rasulzadeh, themeluesit të Republikës Demokratike të Azerbajxhanit. Edhe pse është lënë në harresë, kulla shërben edhe sot si pikë turistike, e vizituar jo vetëm nga ithtarët e diktatorit sovjetik, por edhe kureshtarë të shumtë.

E sikur burgu i Stalinit të mos ishte mjaftueshëm interesant, në shumë pranë tij, në një fshat të vogël në kufi me Iranin, të quajtur Archivan, ndodhet edhe fenomen tepër i veçantë natyror, Yanar Bulag, që do të thotë Burimi i Flaktë. Uji që del prej aty është i përzierë me gaz metan dhe mund të ndizet shumë lehtë. Burimi është një pikë tepër e frekuentuar, pasi uji është tërësisht i pijshëm, ka shije dhe erë krejtësisht normale, ndërsa kur i vë flakën, ato zgjasin për pesë deri në dhjetë sekonda.

A2 CNN Livestream

Dita jonë