“Celulari më i fuqishëm në botë”… Samsung prezanton Galaxy Note 10

Samsung ka zbuluar telefonin më të ri, të cilin e ka quajtur pa frikë si “celulari më i fuqishëm në botë”. Firma koreano-jugore nisi “sezonin e prezantimeve” të mërkurën pasdite duke treguar për publikun në Bruklin, Nju Jork, versionin e fundit të Galaxy Note, që mban numrin 10.

Telefoni i ri do të ketë dy përmasa, me ekran 6,3 dhe 6,8 inç. Ai do të ketë gjithashtu S Pen, një “stilolaps” i cili do t’ju lejojë që të kontrolloni përveç telefonit tuaj edhe pajisjet e tjera të lidhura me të në distancë, si të ishte një shkop magjik. Gjatë prezantimit, Samsung zbuloi gjithashtu partneritetin me Microsoft, që do t’i lejojë përdoruesit të komunikojnë edhe më lehtë me pajisjet e tjera.

Vetëm 8 milimetra i trashë, Note 10 do të jetë më i holli i ndërtuar ndonjëherë, ndërsa përmasat e lejojnë të arrijë një rezolucion 2280 x 1080 piksel për Note 10 dhe 3040 x 1440 për Note 10 Plus. Telefoni me 8GB RAM dhe 256 GB memorie do të kushtojë 949$, ndërsa versioni Plus 1099$. Për më fanatikët e internetit të shpejtë, do të ketë edhe një version me internet 5G, i cili do të kushtojë 1300$.

Shkarkoni aplikacionin e A2