Maqedonia e Veriut refuzon kërkesën e Serbisë për ekstradimin e ish-luftëtarit të UÇK

Një Gjykatë në Maqedoninë e Veriut ka refuzuar kërkesën e Serbisë për të ekstraduar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të arrestuar atje pas një urdhër arresti ndërkombëtar. Serbia e akuzon Tomor Morinën për krime lufte, por sipas Gjykatës në Shkup, pas vlerësimit të të gjithë dokumentacionit “nuk u plotësuan kushtet” për të ekstraduar shqiptarin drejt Serbisë.

Si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë kërcënuar Maqedoninë e Veriut se marrëdhëniet mes shteteve do të ndikohen nga vendimi për të ekstraduar apo jo Morinën, i cili vazhdon të qëndrojë në qelitë e paraburgimit prej më shumë se dy javësh, kur edhe u arrestua në pikën kufitare të Bllacës, mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Serbia pretendon se Morina ka kryer krime kundër civilëve gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999, ndërsa ai vetë i mohon akuzat. Nëse vendimi i të mërkurës do të apelohet, atëherë vendimin përfundimtar për ekstradimin do ta marrë ministrja e Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.

Shkarkoni aplikacionin e A2