Protesta kundër Trump, Presidenti viziton qytetet e prekura nga sulmet

Presidenti amerikan, Donald Trump vizitoi dy qytetet e prekura nga sulmet me armë zjarri në fundjavë, mes protestave dhe përplasjeve me politikanët lokalë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri thirrje për unitet kur vizitoi grupet e ndërhyrjes së shpejtë dhe të mbijetuarit e masakrave në Dayton të Ohio dhe El Paso të Texas.  Sipas tij, vizita kishte shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Kaluam një ditë të mrekullueshme. Duhet të kishit qenë atje për ta parë. Takuam shumë njerëz e gjithashtu mjekë dhe infermiere. Ata bënë një punë të jashtëzakonshme në të dyja vendet. Le të shohim çdo të bëjmë së bashku”, tha Trump.

Por kritikat lidhur me retorikën kundër emigrantëve dhe mungesën e veprimit ndaj kontrollit të armëve nuk u zbehën. Në El Paso, protestuesit mbushën rrugët me slogane të tilla si ‘Racist, kthehu në shtëpi’.

Skena të ngjashme pati edhe në qytetin e Dayton, ku megjithatë pati edhe kundër protesta në mbështetje të presidentit. Kongresistja demokrate, e cila përfaqëson El Paso, Veronica Escobar, refuzoi ta takonte.

Escobar dhe kandidati demokrat për presidencën Beto O’Rourke morën pjesë në një manifestim kundër Trump.

“Në një kohë kur jemi të sulmuar e kur na thonë të qëndrojmë në heshtje ne ngrihemi në këmbë, të zëshëm dhe krenar si shembulli më i mirë i këtij vendi” deklaroi kandidati O’Rourke.

Në total 31 persona u vranë në sulmet e El Pasos dhe Dayton të cilat ndodhën brenda disa orëve. Masakra në El Paso, po trajtohet si krim i nxitur nga urrejtja kundër hispanikëve që përbëjnë edhe numrin më të lartë të banorëve në këtë qytet.  

Shkarkoni aplikacionin e A2