The Telegraph: Shqiptarët trafikohen në Angli përmes Facebook

Bandat shqiptare përdorin rrjetin social Facebook për t’u fshehur nga aksionet e Policisë britanike kundër emigracionit të paligjshëm, si dhe për trafikuar emigrantë në Britaninë e Madhe, por edhe për të prodhuar certifikata false martese dhe teste të gjuhës angleze për të marrë nënshtetësinë.

Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, pavarësisht raportimeve, Facebook nuk e ka mbyllur faqen “Shqipet në Londër”, me mbi 120 mijë ndjekës, në të cilën publikohen edhe skemat e rekrutimit. Nga investigimi i kryer, “The Telegraph” ka zbuluar se faqja administrohet nga Fari Lleshi, një shqiptar i futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, pasi kishte vuajtur një dënim me gjashtë vite burgim në Itali për grabitjen e 25 mijë eurove. Ai është deportuar nga Britania në mars, pasi u dënua për trafik të lëndëve narkotike aty.

Faqja e Facebook siguron të dhëna për emigrantët e paligjshëm në Britani, për vendet që duhet të shmangin për të mos u kapur nga autoritetet. Gjithashtu, faqja shërben edhe si pikë kontakti mes emigrantëve dhe trafikantëve, të cilët kërkojnë deri në 1500 paund për person, për t’i dërguar në Britaninë e Madhe, përmes Irlandës, e cila konsiderohet si rruga më e lirë dhe e lehtë.

“The Telegraph” shkruan se faqja e Facebook u mbyll pak orë pasi ishte kontaktuar nga gazeta ndërsa administratori nuk iu përgjigj pyetjeve, madje duke i thënë gazetarëve: “Gjeni diçka tjetër për të shkruar, shkruani mbi Brexit”. Facebook gjithashtu është përgjigjur se do ta kishte mbyllur faqen nëse ajo nuk do të ishte mbyllur më parë nga vetë administratorët e saj.

Sipas Home Office, Ministrisë britanike të Brendshme, numri i shqiptarëve që futen ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar është dy herë më i madh se sa i çdo kombësie tjetër. Ndërsa Agjencia Kombëtare e Krimit thotë se bandat shqiptare kanë arritur të dominojnë tregjet e trafiqeve, sidomos atë të kokainës. Një zëdhënës i saj tha për “The Telegraph” se gjashtë efektivë të agjencisë janë vendosur në Shqipëri për të bashkëpunuar më nga afër me autoritetet shqiptare.

Shkarkoni aplikacionin e A2