Akuzat e prokurorëve italianë, reagon zëvendësministrja e Brendshme

Akuzat e fundit të prokurorëve italianë mbi  kanabizimin e 1/3 së vendit, fuqizimin e klaneve shqiptare në trafikimin ndërkombëtar të drogave të forta dhe korrupsionin në nivele të larta të politikës së vend, zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda i ka komentuar nga Vlora.

Sipas saj, kjo nuk është fytyra e Policisë së Shtetit dhe se që prej vitit 2017 vendi ka bërë progres dhe ka intensifikuar luftën kundër kanabisit. Po sipas saj, këto janë lajme të pambështetura në statistika zyrtare të shtetit shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë. “Ky nuk është një lajm zyrtar. Më erdhi shumë keq kur e pashë”, u shpreh Voda.

Ajo tha, se mbi Shqipërinë po hidhet baltë e pamerituar duke theksuar se klanet mafioze shqiptare nuk mund të krahasohen me nivelin e trafikut në portet spanjolle, britanike apo turke. “Në raportet që ne kemi nuk më rezulton kështu. Ç’mund të themi për Turqinë, ç’mund të themi për portet e Spanjës, apo të Francës, apo portet e Britanisë. Më vjen shumë keq që ndaj një vendi të vogël si Shqipëria shpeshherë hidhet edhe baltë”, shtoi ajo.

Deklaratat e zëvendësministres u bënë gjatë inaugurimit të zyrës së re të Aleat në Vlorë, për aplikimin e mjeteve të identifikimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2