Alibeaj: Shqipëria, parajsë për krimin, BE nuk hap negociatat

Për Enkelejd Alibeajn, dokumentari “Narcotica”, në median shtetërore italiane, fakton kthimin e Shqipërisë në parajsën e krimit të organizuar. Sipas ish-deputetit demokrat, tashmë të gjithë ndërkombëtarët e dinë se Shqipëria operon si një narko-shtet dhe kjo do të pengojë çeljen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pasi vendet e unionit nuk duan brenda tij një shtet të lidhur me krimin.

“Edi Rama hesht për veprën e tij “Kanabistan 2019”, sepse, me mbështetjen e tij, Shqipëria, veçanërisht Tirana, është shndërruar në lavatriçen më të madhe në Ballkan për pastrimin e miliardave të drogës. Dyshja që helmoi shqiptarët me drogë dhe me gaz, që nuk lënë rast pa sulmuar qytetarët e vet, nuk guxojnë të thonë asnjë fjalë, jo më të veprojnë kundër mafias me të cilën po qeveris mbi miliardat e drogës”, tha Alibeaj në një konferencë për mediat.

“Shndërrimi i Shqipërisë në parajsën e krimit të organizuar dhe kriminelëve të kërkuar në Europë është një akt i rëndë kundër interesit kombëtar. Për një vend të qeverisur në ortakëri me mafian që trafikon drogën nga Amerika Latine, Afganistani dhe Kolumbia, Bashkimi Europian nuk ka për të hapur negociatat e anëtarësimit. Kjo është tradhtia më e madhe kombëtare e Edi Ramës”, shtoi ai.

Shkarkoni aplikacionin e A2