Basha: Hajduti nuk ka shkuar me pushime

Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se edhe pse jemi në sezon pushimesh hajdutëria vazhdon.

“Hajduti nuk ka shkuar me pushime. Hajdutëria vazhdon. Modeli që Rama aplikon është modeli tipik i regjimeve të korruptuara në botë. Metoda është ajo e fryrjes së kostove publike dhe marrjes mbrapsht të pjesës së fryrë”, tha Basha.

Basha përshëndeti, më tej, kthimin nga Presidenti Meta të ligjit për Milot-Balldren nga Presidenti Meta.

“Kjo shpjegon se pse 600 metra bulevard nga Sheshi Skënderbej te Stacioni i Trenit do të kushtojë shqiptarëve mbi 5 milionë euro. Nuk bën më shumë se 1 milionë euro. 4 milionë euro do të ndahet mes “Fushës” dhe Edi Ramës. Kjo shpjegon pse rruga Milot-Balldren vetëm 17 kilometra do t’u kushtojë shqiptarëve 256 milionë euro. Presidenti i Republikës e ktheu ligjin e këtij koncesioni, një vendim që e përshëndes, duke zbuluar se si sipas vetë burimeve zyrtare kosto u rrit artificialisht me mbi 50 milionë euro, veprim që e përshëndes. Rritja faktike e kostos është afro 150 milionë euro pra 3 fish. Ky është Kick-back i Milot Balldren, përfitimi që do të ndajë Edi Rama me oligarkun”, tha Basha.

Basha: Kallëzim penal për arkitektin e Teatrit Kombëtar

Basha u shpreh se opozita do të bëjë një kallëzim penal ndaj arkitektit danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels.

“Brenda javës së parë të shtatorit, opozita do të padisë në prokurorinë shqiptare dhe në atë daneze, arkitektin danez të Teatrit Kombëtar Bjarke Ingels dhe kompaninë e tij BIG, Po bëhen përgatitje për të bërë të njëjtat hapa, me mundësitë që kemi në opozitë, kur të jemi në qeveri, do të kemi të tjera mundësi, edhe për sa i përket mafiozëve kroatë të Ramës me kasat fiskale. Gjithashtu, i njëjti veprim do të bëhet edhe për sa i përket një tjetër shkatërrimi i një tjetër vepre, nëpërmjet mikut të Edi Ramës, Casamonti, që mesa duket do të marrë përsipër veprën korruptive tek sheshi Nënë Tereza”, tha Basha.

Pak ditë më parë, Basha nënshkroi edhe një pakt me artistët në mbrojtjes të Teatrit Kombëtar për restaurimin e tij dhe jo shembjen e godinës.

Faturimi elektronik, Basha: Kasat e reja do t’i kushtojnë çdo biznesi 250 euro

Basha tha se rasti më i fundit i kapjes së shtetit është kontrata për faturimin elektronik të bizneseve. Sipas Bashës, ai është një projekt nga i cili është planifikuar të përfitohen padrejtësisht nga bizneset qindra miliona euro në vitet e ardhshme.

“Edi Rama bëri një ligj për të krijuar një sistem të ri, i cili i detyron bizneset të blejnë kasa të reja dhe programe të reja kompjuterike. Këto do të shiten nga klientët e tij. Aktualisht janë 140 mijë kasa në përdorim, secila duet të zëvendësohet më një kompjuter, iPad dhe program të ri që do të kushtojnë të paktën 250 euro për pajisje, që do të thotë mbi 30 milionë euro nga bizneset dhe 50-100 euro në vit programi kompjuterik dhe mirëmbajtja që i bie deri 14 milionë euro çdo vit. Në 10 vjet bëhet fjalë për deri 170 milionë euro që do të përfitohen nga Edi Rama dhe klientët e tij: do zhvaten bizneset që të vjedhë Edi Rama”, tha Basha.

“Tenderi i bërë për të krijuar këtë sistem ka qenë një tender tërësisht i korruptuar i sajuar, me të cilin do vidhen menjëherë mbi 10 milionë euro. Pasi tenderi fals mbaroi, kompania shqiptare Jehona u shit për 250 mijë euro tek një biznesmen i hetuar për pastrim parash në Kroaci: përmes këtij biznesmeni Edi Rama do të marrë paratë e vjedhura të pastruara në Kroaci. Është një skemë e sajuar në çdo detaj për të vjedhur: imponimi i panevojshëm me ligj i një sistemi të ri faturimi për bizneset, fryrja e ksotos dhe vjedhja e tenderit për të ndërtuar këtë sistemin të ri, detyrimin e bizneseve për të blerë pajisjet dhe programin e ri kompjuterik tek klientët e vet”, shtoi kreu i PD.

Basha: S’ka përçarje mes opozitës, kush s’ka zbatuar dekretet e Presidentit do të mbajë përgjegjësi

Tre parti opozitare, LSI, PAA dhe PR kërkuan të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 13 tetorit, pas dekretit të Presidentit Meta, por këtë hap nuk e ka bërë PD edhe pse është shprehur se njeh dekretin e Presidentit.

Por për Lulzim Bashën, kjo nuk do të thotë aspak se opozita po përçahet. Ai thekson se mbështet dekretin e Metës për 13 tetorin, ndërsa shkon edhe më tej se ata që nuk e zbatojnë atë do të mbajnë përgjegjësi.

“Nuk ka përçarje mes opozitës. Të gjitha institucionet duhet të zbatonin dekretin e Presidentit dhe të gjithë do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Mund të vonojë, por nuk do të harrojë”, tha Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2