Bilanc tragjik në Holandë, i nxehti shkaktoi rreth 400 viktima

I nxehti rekord që përfshiu Europën në fund të korrikut, besohet t’i ketë kushtuar jetën qindra personave në Holandë.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave CBS, në total 2964 vetë vdiqën në Holandë në javën e nisur nga 22 korriku, 400 më shumë se mesatarja në një javë normale vere. Temperatura të paprecedenta përfshinë kontinentin e vjetër muajin që lamë pas dhe për herë të parë ne Holandë termometri i kaloi 40 gradët në 25 korrik.

Bilanci i vdekjeve në vend gjatë javës në fjalë është i krahasueshëm me atë që u regjistrua gjatë dy valëve të të nxehtit në vitin 2006-të që ishin edhe më të gjatat në histori.

Shumica e viktimave ishin të moshuar, ndërsa rastet më të shumta u shënuan në lindje të vendit ku temperaturat ishin më të larta dhe zgjatën më shumë. Vala e të nxehtit ishte e dyta që goditi Europën në një muaj dhe specialistët e klimës paralajmërojnë se fenomene të tilla mund të bëhen më të zakonshme për shkak të ngrohjes se planetit nga emetimet e gazrave me efekt serrë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2