Hetimet për Metën, Policia dhe Prokuroria: U shtuan krimet zgjedhore

Deputetët janë me pushime, por nuk heqin dorë nga hetimi i Ilir Metës. Ndërsa ata janë të shpërndarë nëpër Shqipëri, apo jashtë saj, në adresë të Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit vijnë shkresa me informacione që maxhoranca kërkon t’i përdorë për shkarkimin e tij nga detyra.

Për të argumentuar aktet kriminale të përmendura nga Kryeministri Rama, Komisioni Hetimor i është drejtuar për informacion Arta Markut dhe Ardi Veliut. 2 titullarëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Policisë së Shtetit i kërkohet informacion në lidhje me trendin e krimeve zgjedhore, para dhe pasi Presidenti të anulonte me dekret zgjedhjet e 30 qershorit.

“1. Numri i kallëzimeve të referuara në organin e Prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 1 janar 2019 – 10 qershor 2019 në shkallë vendi.

2. Numri i kallëzimeve të referuara në organin e prokurorisë për shkelje penale të procesit zgjedhor gjatë periudhës kohore 10 qershor 2019 e në vijim, në shkallë vendi”

Kërkesa e Komisionit Hetimor

A2 CNN u njoh me korrespodencën mes këtyre 3 institucioneve. Sipas shkresës së firmosur nga Ardi Veliu, para se Presidenti të dekretonte anulimin e zgjedhjeve, kishte pasur vetëm 2 kallëzime për krime elektorale. Pas 10 qershorit, u proceduan 192 persona.

“Në total për, periudhën 01 janar 2019 – 10 qershor 2019 janë gjithsej 2 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në Prokurori, zbuluar 1, ose 50% e tyre. Në këto vepra penale është proceduar 1 autor, i cili ndiqet në gjendje të lirë. Në total për periudhën 10 qershor 2019 e në vazhdim, janë gjithsej 32 kallëzime që lidhen me procesin zgjedhor, të referuara në  Prokurori, zbuluar 27, ose 84,37% e tyre. Në këto vepra penale janë proceduar 192 autorë, nga të cilët 71 persona të arrestuar, 18 të ndaluar, 60 ndiqen në gjende të lirë dhe 43 janë larguar dhe shpallur në kërkim policor.

Përgjigja e Policisë së Shtetit për Komisionin Hetimor

Në mungesë të Arta Markut, përgjigja nga Prokuroria e Përgjithshme u firmos nga Thoma Jano. 37 procedime në 14 rrethe (Mat, Kurbin, Sarandë, Pogradec, Shkodër, Dibër, Fier, Korçë, Berat, Tropojë, Durrës, Elbasan, Kavajë, Tiranë), për vepra penale që lidhen me zgjedhjet pas dekretit të Metës dhe vetëm 2 para tij, shkruhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Aktualisht Komisioni Hetimor ka dërguar dhe marrë informacion që mendon se do ta ndihmojë për shkarkimin e Metës, dhe nga qendra e botimeve zyrtare, autoriteti i mediave audiovizive, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor. Ndërkohë, që në 9 shtator, ekspertët e Venecias vijnë të takojnë palët para se të japin një opinion mbi ligjshmërinë e veprimeve të presidentit Ilir Meta.

  • LAJMI I FUNDIT | Dështimi për negociatat, Merkel: Më vjen shumë keq, do t’i rikthehemi çështjes
  • LAJMI I FUNDIT | Merkel: Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet
  • LAJMI I FUNDIT | Merkel: Maqedonia e Veriut ka bërë shumë me çështjen e emrit
  • LAJMI I FUNDIT | Merkel: Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetting-ut
  • LAJMI I FUNDIT | Macron: Nuk e ndjejmë veten gati për të hapur negociata
  • LAJMI I FUNDIT | Macron: Popujt nuk janë fajtorë, por ne kërkojmë reforma konkrete
  • LAJMI I FUNDIT | Macron: Në 2008 bëmë disa lëvizje të nxituara me vizat