Kontratat koncesionere, Presidenti Meta nuk aprovon ndryshimet e qeverisë

Ndryshimet ligjore të kontratave koncesionare janë kthyer në një objekt debati jo vetëm në radhët e politikanëve dhe ekspertëve, por së fundmi edhe nga vetë Kreu i Shtetit.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer pak ditë më parë për rishqyrtim në Kuvend ligjin për PPP-të, duke e cilësuar atë të vonuar dhe me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit. Ai ka kërkuar një rishikim të dy prej neneve të këtij drafti, përkatësisht nenin 17 dhe 18, duke argumentuar se krijojnë hapësirë për të prodhuar sërish pasoja negative.

Por, me sa duket Kreu i Shtetit nuk është mjaftuar me kaq, pasi ka vendosur të kthejë në Kuvend edhe ligjin për dy kontratat koncesionare për rrugën Milot-Balldren si dhe atë Orikum-Dukat, dy nga projektet më të debatuara për shkak të kostove të larta të tyre.

Ky është pikërisht edhe një ndër argumentet që Meta rendit për kthimin e tyre për rishqyrtim, teksa cilëson si mjaft shqetësuese mungesën e një vlerësimi ekonomik të tyre, duke shtuar se kjo rrezikon financat e shtetit.

Mungesa e transparencës së këtyre kontratave, si dhe ajo e një studimi të plotë të fizibilitetit për të dy projektet janë edhe dy prej arsyeve që kanë shtyrë Presidentin të mos dekretojë këto dy projekte infrastrukturore mjaft të rëndësishme. 

Shkarkoni aplikacionin e A2