Kriza politike, Nazarko: Presidenti ka hyrë si një lloj aktori partiak. PD rrezikon zhdukjen

Analisti Mentor Nazarko ishte i ftuar në Ditarin e orës 13:00 nga ku i bëri një analizë krizës politike në vend që po zgjat prej muajsh.

“Ka ardhur koha për një marrëveshje të madhe”

“Opozita i ka lënë një pushtet kaq të madh Kryeministrit për ta menaxhuar dhe në këtë kuptim pret që të bjerë nën peshën e pushtetit që është duke akumuluar. Kjo është një situatë ku po rrëshqitet drejt një primitivizmi politik. Presidenti po mundohet si një lloj “katallani” ta luajë këtë rol Presidenti i Republikës, i cili është brenda arkitekturës institucionale. Disa dalje të tij janë të pazakonta edhe pse unë jam dakord që ai është brenda të drejtës së tij për të tentuar ekuilibrin e lojës. Ajo që më shqetëson është klima e biznesit. Nga njëra qeveria po i ushtron një presion të fortë biznesit. Kryeministri po shpall me solemnitet se si bizneset e mëdha do të mbyllen për shkak të një fature. Ndërkohë, Basha kërcënon se kompanitë që mbështesin Ramën… Në një situatë të tillë mendoj se ka ardhur koha për një marrëveshje të madhe. Kjo marrëveshje dy palëshe, tre palëshe duhet të arrihet me energjitë dhe frymëzimin e brendshëm dhe jo më frymëzim ndërkombëtar”.

Presidenti protagonist dhe kritikat ndaj Bashës

“Unë e quaj plotësisht legjitim veprimin ose aksionin e Presidentit në një situatë të tillë. Dikush e krahason me paraardhësit, dikush me ato republika parlamentare që janë si ne, por situata te ne është e pazakontë dhe për këtë arsye unë e quaj legjitime. Ajo që nuk më pëlqen retorika. Qëndrimi i fundit që ai frymëzon opozitën për të qenë bashkë, se kështu do të rrëzojmë Ramën njëlloj si Miloshevici. Kjo është pak e tepruar. Presidenti mund të ishte akoma më ndikues nëse do të përdorte edhe fjalë të tjera që janë tipike të stofit presidencial. Në këtë pikë, ai ka hyrë si një lloj aktori partiak në lojë. Ai po e nxit opozitën të bëhet bashkë ose duke dhënë alarmin e rrezikut të një diktature ose shteti autokratik në të cilën pjesërisht ka të drejtë. Por thash që jemi në një situatë të pazakontë dhe aktorët veprojnë me mjete të pazakonta”.

Akuzat e Bashës të fokusuara drejt kontratave koncesionare…

“Mendoj se ky është një tjetër budallallëk i zotit Basha, ndonëse ai tenton të rezonojë, të jetë në të njëjtën gjatësi vale me një lloj kriticizmi ndërkombëtar, FMN-së, Bankës Botërore apo edhe të DASH-it që flet për këtë pjesë të marrëdhënies së qeverisë me biznesin e cila është problematike. Por nuk mund ta mohoj se këtu ka diçka që mban era jakobinizëm, retorikë komuniste që ishte e paraardhësit të Bashës dhe ne prisnim që ai ta ndryshonte. Më mirë do të ishte origjinali (Berisha) sesa kopja. Kritika ndaj biznesit është i prapambetur. Opozita është pa plan pune, është në një situatë të cilën e ne kemi parashikuar të ngjashme me ato raste në vende të ndryshme kur janë zhdukur partitë politike. Opozita është duke humbur energjitë e saj dhe mund të shkojë drejt zhdukjes dhe jo të zhduket duke na krijuar ndonjë keqardhje shumë të madhe”.

Mesazhet e ndërkombëtarëve

“SHBA kanë një qasje tërësore. Ata ndikohen në ato procese që janë të shëndetshme në modernizimin e shtetit: pastrimin e drejtësisë dhe nëpërmjet saj të politikës, në mënyrë të tillë që të sigurohet rotacioni i pushtetit. Në Ballkan vihet re se një parti që fiton njëherë një mandat arrin ngadalë që të kontrollojë të gjitha ato pjesë të shoqërisë, që pastaj të fitojë edhe mandatin e dytë, e tretë dhe të fitojë sa të dojë. Për këtë arsye, ndërkombëtarët duan ta modernizojnë këtë shoqëri. Por opozita nuk po e kupton këtë gjë. Ky është një proces i sponsorizuar nga SHBA-të. Palmer përdori një mekanizëm të heshtur apo futja në listën e zezë që është udhëtimi në SHBA. Sado para të hidhen te lobistet në SHBA këto procese janë të pandalshme”.

Çfarë duhet të bëjë kryeministri në një situatë të tillë?

“a) Rama duhet të ofrojë një marrëveshje të madhe me opozitën.

b) Të kryejë një spastrim të të vetëve. Në momente të caktuara, ai ka treguar se e bën një spastrim të tillë kur ka larguar njerëz që mendohej se ishin të pazgjidhshëm apo kur ka ndryshuar një numër të madh ministrash me një të rënë të lapsit. Rama duhet të tregojë që do të veprojë fuqishëm edhe ndaj të vetëve. Abuzimi është i pritshëm nga njerëz që nuk ka kush t’i kontrollojë. Nuk ka opozitë është në rrugë ose është në foltore. Opozita është shpikur të kontrollojë pushtetet. Nuk e di si i ka punët brenda partisë së tij. Por duhet të veprojë shpejt”.

Po opozita si duhet të veprojë në një situatë të tillë?

“Nëse do të vazhdojë me këtë stil si paraardhësit e zotit Basha, atëherë rrezikon të zhduket elektoralisht dhe të shfaqen faktorë të tjerë që janë moralisht më të shëndetshëm. Në këtë vend nuk mund të zhduket opozita, por opozita nuk është vetëm PD”.

Shkarkoni aplikacionin e A2