Kriza politike në Itali, Salvini kërkon zgjedhje të parakohshme – A2

Kriza politike në Itali, Salvini kërkon zgjedhje të parakohshme

Dallimet me partnerët e koalicionit nuk mund të tejkalohen. Më këto fjalë, lideri i Lega Nord, Mateo Salvini argumentoi kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Salvini tha se përpjekja e dështuar e Lëvizjes së 5 Yjeve për të minuar planet për ndërtimin e hekurudhës mes Torinos dhe Lionit, tregoi se koalicioni nuk mund të qeverisë më.

“Italia ka nevojë për kurajo, energji, ide të qarta dhe shumë po. Tani nuk është koha për Zotin jo. Unë e bëj punën me zemër, më nder dhe krenari nëse mundem ta bëj lirshëm deri në fund. Nëse kuptoj se dikush po përpiqet të më ndalë atëherë duhet të jetë populli ai që do të vendosë. Ju duhet të vendosni, askush tjetër”, deklaroi Salvini.

Kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Luigi Di Maio replikoi se partia e tij nuk i druhet zgjedhjeve të reja. Partia e Salvinit pozicionohet mirë në sondazhe, kryesisht për shkak të qëndrimit të tij kundër emigracionit të paligjshëm.

Përplasjet kanë të bëjnë me projektin miliarda dollarësh “TAV”, që parashikon gërmimin në Alpe për ndërtimin e një hekurudhe për trena të shpejtësisë së lartë mes Torinos dhe qytetit francez të Lionit.

Lëvizja e 5 Yjet e kundërshton ashpër, duke cituar shkaqe ambientaliste dhe buxhetore. Por Lega Nord këmbëngul se projekti do të krijonte vende pune e do të nxiste rritjen ekonomike. E ndërsa burimet brenda partive të shumicës po spekulojnë se zgjedhjet mund të mbahen në tetor, kërkesa e Salvinit jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në realitet.

Presidenti Sergio Mattarella mund të caktojë një qeveri të re teknokratësh dhe të shtyjë zgjedhjet deri vitin e ardhshëm. 

Shkarkoni aplikacionin e A2