“Luftë e ftohtë” dekretesh, Presidenti Meta kthen rreth 20 ligje brenda legjislaturës

Që prej divorcit politik me Partinë Socialiste dhe me marrjen e detyrës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta nuk i ka kursyer mazhorancës dhimbjet e shpeshta të kokës. Vetëm nga legjislatura që u mbyll më 18 korrik, Kreu i Shtetit i ka kthyer Parlamentit mbi 20 ligje. Duket se “Lufta e ftohtë” e dekreteve është intensifikuar së tepërmi. Pika më e nxehtë e përplasjeve për dekretet përkoi me 30 qershorin që u anulua nga presidenti duke e zëvendësuar me 13 tetorin.

Ndërsa vetëm në javën e parë të gushtit, janë kthyer 4 ligje. Më i fundit, por jo i fundit me shumë gjasa, është ai për PPP e rrugës Orikum-Dukat, miratuar në seancën e fundit parlamentare. Presidenti është kujdesur gjithmonë që bashkë me kthimin e ligjit, të japë edhe sqarimin përkatës juridik.

Në shumicën e herëve, sipas këshilltarëve të tij juridikë, mazhoranca ka hartuar e miratuar ligje që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Por gjithsesi, statistikat flasin për një tjetër rezultat në fund të lojës së ping pongut me dekretet.

Mazhoranca me forcën e kartonit i ka rrëzuar ato në parlament. Edhe në shtator, duket se puna e ligjvënësve, në vend se të nisë me projektligje të reja, do të ketë një axhendë të mbartur, nga dekretet e pa firmosura të presidentit në proces shkarkimi, po nga socialistët. 

Shkarkoni aplikacionin e A2