Premier League, merkato në Angli, miliona euro dhe dy shqiptarë

Edhe në orët e fundit të merkatos, Premier Liga arriti të mbajë mbrapa kampionatet e tjerë të mëdhenj në Europë. Goditja e fundit e madhe ishte transferimi i mbrojtësit brazilian, David Luiz nga Chelsea tek Arsenali për 10 milionë euro. Liga angleze u konfirmua më e pasura në kontinent, me gjashtë blerje, vlera e të cilave i kalon 50 milionë eurot. Lojtari më i kushtueshëm ishte Harry Maguire, i blerë nga Manchester United për 87 milionë euro.

Arsenali shpenzoi 80 milionë euro për sulmuesin francez të Lille, Nikolas Pepe, ndërsa Manchester City investoi 70 milionë euro për Rodri nga Villareal dhe 65 për Joao Cancelon nga Juventus. Tottenham ishte një prej skuadrave me merkaton më të rëndësishme në Angli, me Ndombele që u bë blerja më e shtrenjtë e londinezëve për 60 milionë euro. Manchester United e kaloi murin e 50 milionëve edhe me Aron Van-Bisakan, të paguar 55 milionë euro te Crystal Palace.

Mes transferimeve të shumta të kësaj vere në Angli, spikasin edhe dy lojtarë me origjinë shqiptare. Sulmuesi Albian Ajeti iu bashkua West Ham nga Bazeli për 11 milionë euro, duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierë. Pas 94 milionë eurove të shpenzuara, Wolverhampton investoi edhe për ekipin e 23-vjeçarëve, ku një prej blerjeve ishte shqiptari i Bajernit të Mynihut, Meritan Shabani, për të cilin janë shpenzuar rreth 5 milionë euro. Edhe këtë herë, Anglia u konfirmua mbretëreshë e merkatos.

Shkarkoni aplikacionin e A2