
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend miratimin e kontratës koncesionare të rrugës Porti i Jahteve-Orikum-Dukat.
Sipas tij, kjo kontratë është formalizuar në një proces jotransparent dhe mungesa e një vlerësimi të qartë e kostove rrezikon financat e shtetit.
Në argumentet e përdorura nga kreu i shtetit, thuhet se vlera fillestare e projektit prej më shumë se 50 milionë euro ka frenuar konkurrentët e tjerë të mundshëm, ndërsa kompanisë që ka paraqitur propozimin evidenton ai ndër të tjera, i është dhënë e drejta të negociojë çmimin, duke e çuar atë në mbi 67 milionë euro.
Vetëm një ditë më parë, Presidenti ktheu në Kuvend për rishqyrtim edhe kontratën koncesionare të rrugës Milot-Balldren, një ndër projektet më të debatuara për shkak të kostove të larta. Me të njëjtat argumente, Presidenti vlerëson se shqyrtimi i kontratës është bërë në mënyrë të përciptë dhe jo objektive.
Vlera e ndërtimit të rrugës me gjatësi 17.3 kilometër pritet të jetë 256 milionë euro përfshirë dhe TVSH-në, e thënë ndryshe rreth 15 milionë euro për km.
Projekti parashikohet të ndërtohet brenda një periudhe prej 4 vjet e gjysmë, ndërsa kohëzgjatja për mirëmbajtjen përllogaritet rreth 8 vjet.