‘‘Shkallët spanjolle’’, autoritetet e Romës ndalojnë uljen

Ulja në shkallët e famshme spanjolle të Romës, ka qenë një prej atraksioneve të shumta që ofron qyteti i përjetshëm. Por, tani e tutje kjo nuk do të jetë më e lejuar. Qyteti implementoi masën këtë javë për mbrojtjen e relikeve kulturore dhe efektivët kanë nisur të patrullojnë zonën duke larguar nga shkallët cilindo që tenton të ulët. Shkelësit e urdhrit rrezikojnë një gjobë prej 250 eurosh, e cila mund të shkojë deri në 400 nëse shkallët ndoten apo dëmtohen.

“Vizitorët nuk lejohen të ulen në shkallë. Edhe ngrënia në to, ose shkarravitja e tyre është e ndaluar, ashtu si shitja e objekteve pa leje. Jemi këtu per t’i bindur njerëzit të ndjekin rregullat”, u shpreh Antonio Di Maggio, Drejtor i policisë bashkiake të Romës.

Të ndërtuara në vitin 1725, Shkallët Spanjolle janë pjesë e të famshmes Piazza di Spagna në Romë. Vendi piktoresk josh vizitorë të panumërt me karakteristikat e tij të veçanta. Shkallët janë përfshirë edhe në disa filma klasikë, si komedia romantike ‘Pushime romane’.

Edhe Venecia prezantoi një seri ligjesh për kontrollin e numrit të turistëve dhe rregullimin e sjelljes së tyre, të tilla si vendosja e taksave dhe ndalimi i të ngrënit dhe të pirit në vende piktoreske. 

Shkarkoni aplikacionin e A2