Sulaj: Në vjeshtë do të kemi zhvillime të jashtëzakonshme politike

Blendi Sulaj, nënkryetari i Partisë Republikane, në Ditarin e orës 09:00, u shpreh se deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk është krijuar, vendimet e Metës duhen zbatuar.

Ai theksoi se 13 tetori duhet të respektohet nga të gjitha partitë. “Ai aksion politik që ne ndërmorëm nga shkurti deri në qershor e nxori opozitën fituese morale në të gjithë këtë situatë politike që është krijuar. Rruga që duhet shtruar tashmë është zgjidhja e krizës politike dhe kjo duhet të vijë nga aktorët kryesorë politikë. Deri në momentin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese, vendimet e Presidentit janë të ligjshme. Dekreti i 13 tetorit duhet të respektohet nga të gjitha partitë politike. Data 13 tetor edhe mund të lëvizi si datë, por e rëndësishme është që të ketë kompromis mes palëve. Deklaratat e Metës nuk duhen parë si deklarata afër opozitës, por për zgjidhjen e krizës. Kritikat e Metës janë me vend edhe drejt opozitës. Çfarë ka ndodhur në këto muaj është faji i Ramës dhe i qeverisjes së tij dhe jo i opozitës”, tha Sulaj.

Sipas nënkryetarit të Partisë Republikane, dy politikanët kryesorë në vend, të dy krahëve, duhet të reflektojnë.

“Përgjegjësitë kryesorë për këtë situatë duhet t’i japin zgjidhje. Përgjegjësitë janë dy politikanët kryesorë të dy krahëve. Ata duhet të reflektojnë dhe duhet të mendojnë për qytetarët. Ata duhet të shikojnë se nuk ka më kohë për krenari vetjake politike, por ka kohë që Shqipërisë t’i hapet rruga për të ecur përpara”, tha nënkryetari i PR.

Më tej, Sulaj nënvizoi se deklaratat nga amerikanët duhet të lexohet saktë. Ai tha se në vjeshtë do të kemi zhvillime të jashtëzakonshme politike.

“Çdo veprim që vjen nga Amerika duhet të shikohet me shumë vëmendje dhe duhet të lexohet mirë. Kohët e fundit, sidomos politikanët e mazhoranca, i kanë keqinterpretuar dhe qytetarët shqiptarë për një qasje të SHBA kundër opozitës. Kjo nuk është absolutisht e vërtetë. SHBA-të nuk kanë qasje as kundër opozitës, as pro mazhorancës. SHBA-të kanë një qasje të drejtë mbi të gjitha problemet që ndodhin në Shqipëri dhe ne duhet t’i lexojmë ato me racionalitet. Unë mendoj se në vjeshtë do të kemi zhvillime të jashtëzakonshme politike”, tha Sulaj.  

Shkarkoni aplikacionin e A2